Evente‎ > ‎

Aligning scientific research in ICT with the Albanian digital agenda

posted May 25, 2018, 2:46 AM by Jurgen Muho

Në datë 24 Maj 2018, në ambientet e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Departamenti i Informatikës, nën drejtimin e Përgjegjësit të Departamentit, Prof. Asoc. Dr. Endri Xhina, organizoi një tryezë të rrumbullakët me temë “Aligning scientific research in ICT with the Albanian digital agenda”. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga personeli akademik i departamentit të informatikës të angazhuar në grupin kërkimor shkencor “e-government” dhe përfaqësues nga institucionet publike shqiptare dhe organizmave ndërkombëtarë, që kanë një rol kyç në procesin e dixhitalizimit të qeverisjes.

Qëllimi i kësaj tryeze të rrumbullakët ishte shkëmbimi i ideve dhe opinioneve në funksion të përafrimit të kontributeve që ofrohen nga personeli akademik përmes kërkimit shkencor në fusha sensitive si: Informimi publik dhe mbrojtja e të dhënave dhe ndikimi i tyre në ambientin TIK në Shqipëri; Dixhitalizimi në financat publike, edukim, shëndetësi dhe fusha të tjera sensitive; Identifikimi i sfidave, analizimi i potencialit TIK dhe teknologjive të reja në fushën e TIK në funksion të përmirësimit të procesit të e-qeverisjes; Dizenjimi dhe implementimi i shërbimeve informatike etj.

Pjesëmarrësit në aktivitet u njohën nga afër me punën kërkimore shkencore dhe ekspertizat e ofruara nga personeli akademik i departamentit të informatikës në procesin e e-qeverisjes, duke u fokusuar kryesisht në kontribute konkrete në procesin e dixhitalizimit të njësive të qeverisjes lokale dhe atë të financave publike. Pjesë e rëndësishme e diskutimeve ishte edhe trajtimi i çështjeve që lidhen me informimin e publikut dhe mbrojtjen e të dhënave, dhe rëndësinë e përmirësimit të infrastrukturës aktuale TIK për t’iu përshtatur standardeve që rrjedhin nga Rregullorja e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR).

Nisur edhe nga interesi i shfaqur nga pjesëmarrësit në këtë aktivitet, departamenti i informatikës do të vijojë me organizimin e aktiviteteve të ngjashme apo edhe të përmasave më të mëdha me një pjesëmarrje më gjithëpërfshirëse, me qëllim nisjen e një procesi bashkëpunimi konkret, i cili do t’i shërbejë jo vetëm procesit të dixhitalizimit, por edhe rritjes së kapaciteteve kërkimore shkencore në vend.

Comments