Rreth Departamentit


Katedra e Informatikës u krijua në vitin 1984 pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës. 

Krijimi  i saj shënoi kurorëzimin e përpjekjeve disavjeçare për të pëgatitur kuadro të mirëfillta informatike në vend. 
Para vitit 1984, si pasojë e kërkesave të ekonomisë ishin instaluar dy qendra llogaritëse të pajisura me kompjutera. 
Njera prej tyre, ajo në Tiranë, e krijuar në vitin 1972, u bë një vatër e praktikës së studentëve të cilët kishin në program informatikën. 
Një rol jo më të vogël luajti edhe qendra llogaritëse e Fierit, në të cilën kryenin praktikën studentët e degës së Gjeofizikës. 
Ishin pjekur kushtet për të hapur një degë të re e cila do të formonte specialistë të mirëfilltë të informatikës. 
Bërthama e degës përbëhej nga pedagogë të specializuar jashtë shtetit me studime afatgjata si dhe me pedagogë të specializuar në vend, krahas dhe stazheve  afatshkurtëra jashtë shtetit.

Plani mësimor i hartuar si dhe programi ishin të përafërt me planet dhe programet mësimore të disa universiteteve perëndimore.
Fillimisht dega u hap me 15 studentë të cilët pothuajse të gjithë ishin nga më të mirët e vendit. 
Pas ndryshimeve demokratike, numri i studentëve të pranuar në vitin e parë filloi të rritet gradualisht, derisa arriti në kuotën 100 studentë të pranuar në vitin e parë.

Për disa vite numri i pranimit ka qenë 65-70 studentë dhe u duk se ishte sasia më e përshtatshme po të kihen parasysh dy faktorë thelbësorë: laboratorët dhe stafi pedagogjik.
Në vitin 2008 numri i studentëve u rrit në mënyrë të ndjeshme duke vajtur në 180 studentë. 
Kjo solli shumë vështirësi si në organizimin e mësimdhënies ashtu edhe në zgjerimin e bazës laboratorike dhe auditorëve të përshtatshëm.

Aktualisht Departamenti i Informatikës përbëhet nga 25 punonjës të brendshëm, prej të cilëve 3 me titullin Profesor i Asociuar, 7 me gradën Doktor dhe 15 me gradën Master i Shkencave.
Punonjësit e jashtëm janë të shumtë.

Përsa i përket sasisë së kompjuterave ajo ka qene gjithmonë e mangët. 
Kur u hap dega ekzistonin vetëm 5 mikrokompjutera të markës Goupil (56 kb RAM, si dhe dy flopi drivera që zëvendësonin hard diskun).
Më pas u shtua dhe një mikro kompjuter Commodore (me performancë më të mirë). 
Ky ishte laboratori i katedrës deri në vitin 1990 kur katedra u fuqizua me një rrjet Vax VMS me 20 terminale. 
Ndërkohë një mbështetje e madhe ka qënë edhe praktika e kryer në INIMA e cila në vitin 1984 u pjis me minikompjutera Bool.
Pajisja me rrjetin Vax shënoi një zhvillim të dukshëm të bazës laboratorike duke mundësuar njëkohësisht krijimin për herë të parë të shërbimit të postës elektronike.
Në periudhën e fillimit të tranzicionit drejt një shoqerie demokratike, u shënua një kthim prapa sidomos në aspektin e pajisjeve laboratorike të cilat dollën jashtë përdorimit për shkak të mosplotësimit të kushteve teknike.

Në  vitin 2010 mund të thuhet se kemi një farë përmirësimi të dukshëm përsa i përket anës laboratorike. 
Janë të përdorshëm 80 mikrokompjutera të lidhur në rrjet si dhe është i pranishëm Interneti me një prurje të kënaqshme. 

Në vitin 2010 u hap edhe  një drejtim i ri studimi, “Teknologji Informacioni dhe Komunikimi”, po këtë vit numri i studentëve të regjistruar në vitin e parë shënoi një rekord: 300 në drejtimin “Informatikë” dhe 200 në drejtimin e ri “Teknologji Informacioni”.

Aktualisht Departamenti i Informatikës po shkon drejt rritjes së numrit të pedagogëve dhe drejt ngritjes cilësore të mësimdhënies, kualifikimit dhe kërkimit shkencor.

Ekzistojnë tre grupe kerkimore-shkencore: 
  • Grupi E-Service Providing
  • Grupi i Kontribute në Inteligjencë Artificiale
  • Grupi i Sisteme të Avancuara Informatike

Studentët e diplomuar në të dyja degët 'Informatikë' dhe 'Teknologji Informacioni dhe Komunikimi' janë ndër më të kërkuarit në tregun e punës.